
Ambasadori Karel Urban përuroi projektin e Republikës Çeke për mbështetjen e prodhimit të protezave të gjymtyrëve
27.09.2023 / 10:14 | Aktualizováno: 27.09.2023 / 10:27
Ambasadori i Republikës Çeke në Tiranë, Z. Karel Urban, dhe drejtori i shoqatës "Shpresë për Jetën", z. Izet Onuzi, përuruan së bashku Projektin e Bashkëpunimit Çek për Zhvillim që mbështet prodhimin e protezave të gjymtyrëve me vlerë 20,000 euro.
Me fondet e dhuruara nga Republika Çeke, Shoqata mund të blinte materiale cilësore dhe të prodhonte proteza gjymtyrësh që u jepnin njerëzve një shans për t'u rikthyer përsëri në një jetë aktive normale.
Ceremonia e përurimit u bë në ambientet (punëtorinë) e shoqatës “Shpresë për Jetën”, ku projekti kontribuoi pozitivisht në vazhdimësinë e mëtejshme të punës së dobishme të shoqatës.
Ambasadori Karel Urban informoi të pranishmit se Republika Çeke financon çdo vit të paktën një projekt të ndihmës zhvillimore në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri.
Këtë vit, përveç këtij projekti, Çekia do të sigurojë edhe shtretër spitalor çek për spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë. Vitin e kaluar furnizoi maternitetin Koco Gliozheni me një inkubator neonatal dhe një çantë transporti neonatal nga prodhues çekë, ndërse në vitin 2021 ndihmoi në pajisjen e dhomës së lojërave për fëmijë dhe dhomës së vizitave për prindërit në departamentin onkologjik të Spitalit të Fëmijëve në Tiranë.