
Ambasadori çek Karel Urban viziton Kukësin
12.09.2022 / 17:09 | Aktualizováno: 12.09.2022 / 17:18
Ambasadori i Republikës Çeke në Shqipëri SH.T. Z. Karel Urban, vizitoi qytetin e Kukësit më datë 9 shtator 2022, ku u prit nga Kryetari i Bashkisë Kukës z. Safet Gjici.
Ambasadori falënderoi Kryetarin e Bashkisë për pritjen dhe vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm mes dy vendeve veçanërisht në fushën e turizmit. Duke konfirmuar rritjen e numrit të turistëve çekë në rajonin verior të Shqipërisë, Ambasadori vlerësoi marrëdhëniet mes Republikës Çeke dhe Shqipërisë të cilat këtë vit kremtojnë 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike, si dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim në fushat me interes të përbashkët.
Ambasadori Urban takoi edhe Shefin e policisë rajonale z. Edmond Sulaj të cilin ai e falënderoi personalisht për rolin kritik që policia e zones luajti në shpëtimin e turistëve çekë të ngecur në Alpet shqiptare gjatë kësaj vere. Ambasadori ndau për ekipin Certifikatat e Mirënjohjes.