
Ambasadori çek Karel Urban përuron ekspozitën “Ne jemi rritur në BE”
25.10.2022 / 16:47 | Aktualizováno: 26.10.2022 / 11:15
Ambasadori i Republikës Çeke SH.T. Z. Karel Urban dhe Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë znj. Lindita Nikolla përuruan sëbashku ekspozitën “Ne jemi rritur në BE”. Aktiviteti i zhvilluar në ambjentet e Kuvendit të Shqipërisë në praninë e deputetëve, Trupit Diplomatik, dhe miqve të Republikës Çeke, kremtoi Presidencën Çeke të Bashkimit Europian dhe 100-vjetorin e marrëdhënieve dypalëshe Çeki-Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij, Ambasadori Urban tha se rrugëtimi i Republikës Çeke në BE nuk ka qenë shumë i lehtë, por shpërblyes dhe e konsideroi anëtarësimin në BE si themelin e shtetit të sigurt dhe të suksesshëm që është sot Çekia.
Ambasadori shprehu gjithashtu gatishmërinë e Republikës Çeke për të ndarë përvojën me Shqipërinë në rrugën drejt integrimit, si dhe vlerësoi punën Kuvendit të Shqipërisë në përafrimin e legjislacionit vendas me Acquis Communitaire.
Në fund, Ambasadori Z. Karel Urban dhe Kryetarja e Kuvendit znj. Nikolla përuruan Ekspozitën “Jemi rritur në BE”. Ekspozita paraqiti ngjarjet kryesore historike të Republikës Çeke drejt dhe në BE.
Ekspozita do të jetë e hapur gjatë javës në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë.