Ambasadori i Çekisë u prit nga Kryeministri i Kosovës
20.11.2023 / 16:31 | Aktualizováno: 20.11.2023 / 16:40
Kryeministri i Kosovës priti ambasadorin çek në ditën kur Republika Çeke përkujton mbylljen e universiteteve çeke pas trazirave që pasuan nga varrimi i studentit Jan Opletal, në vitin 1939, dhe përvjetorin e Revolucionit të Kadifenjtë, në 1989. Ky takim pasoi një takim të mëparshëm në një pritje të mbajtur më 28 tetor ku u shënua Dita Kombëtare e Republikës Çeke.
Kryeministri Kurti dhe ambasadori Mazanek diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe, duke theksuar gatishmërinë për rritjen e bashkëpunimit në fusha kyçe si ekonomia, shkëmbimet tregtare, siguria dhe mbrojtja, diplomacia parlamentare dhe kultura. Kryeministri Kurti nënvizoi se Presidenca çeke e Këshillit të BE-së gjatë vitit të kaluar ka qenë ndër më të suksesshmet.
Kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës në objektivat strategjikë të Kosovës siç janë anëtarësimi në Këshillin e Evropës, në Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe marrja e statusit të vendit kandidat për avancim në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Ai falënderoi ambasadorin Mazanek për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës Çeke për Kosovën.
Bohumil Mazanek e siguroi kryeministrin Kurti për mbështetjen e qeverisë çeke për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, në rrugën e tyre për në BE.
Kryeministri Kurti i shprehu ngushëllime popullit çek për humbjen e ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Karel Schwarzenberg një politikan i rëndësishëm i pasluftës, ish-ministër i Jashtëm (dhe gjithashtu kancelar, zëvendëskryeministër, senator dhe deputet).