česky  english  shqip 

Advanced search
Article notification Print Decrease font size Increase font size

Asistenca humanitare nga Ministria e Punëve të Jashtme ndihmoi refugjatët ukrainas me strehim dhe kujdes mjekësor

Republika Çeke ka ofruar në mënyrë aktive ndihmë për Ukrainën që nga dita e parë e agresionit rus. Përveç furnizimit me armë dhe pajisje ushtarake si dhe pranimit të qindra mijëra refugjatëve, dhe mbledhjes vullnetare të fondeve nga qytetarët, ne kemi ofruar ndihmë humanitare për njerëzit e prekur nga lufta drejtpërdrejt në Ukrainë dhe në Republikën Çeke. Ministria e Punëve të Jashtme ka ofruar ndihmë në vlerë prej më shumë se 420 milionë korona çeke (CZK).

"U bë një vit që kur Rusia vendosi të hapë një luftë. Ai moment na tronditi besimin se lufta në Europë ishte e paimagjinueshme dhe zhyti miliona ukrainas në një krizë humanitare. Republika Çeke dhe Ministria e Punëve të Jashtme kanë ofruar ndihmë aktive për Ukrainën që nga fillimi i konfliktit dhe synon të vazhdojë ta bëjë këtë për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, thotë ministri i Jashtëm Jan Lipavský.

Ministria e Punëve të Jashtme ka ofruar ndihmë financiare në këto fusha:

Strehë – Që nga fillimi i luftës, Ukraina u përball menjëherë me krizën e strehimit, si pasojë e e shkatërrimit të shumë ndërtesave të banimit.  Ministria dha 70 milionë CZK për të adresuar këtë krizë në formën e njësive të akomodimit të lëvizshëm, strehimit të sofistikuar me tenda, ose automjeteve për evakuim nga territoret e shkatërruara nga agresioni rus, ndër të tjera;

Pajisje mjekësore – Nga ndihmat humanitare të Ministrisë, kjo përbën pjesën kryesore me një total 101.5 milionë CZK. Me këto fonde u bë e mundur blerja e materialeve dhe pajisjeve mjekësore për spitalet, ambulancave, autobusëve, si dhe pajisjeve të komunikimit për qendrat mjekësore. Pajisjet e trajtimit të traumës të siguruara nga Çekia dhe mjeteve për kryerjen e procedurave mjekësore urgjente në fushën e betejës ishin kyçe;

Energjia – 68 milionë CZK u caktuan për blerjen e ngrohësve të propan-butanit (përfshirë shishet e propan-butanit), pajisjeve të kursimit të energjisë dhe riparimeve të infrastrukturës së dëmtuar të energjisë;

Ndihma për refugjatët nga Ukraina në Moldavi – 70 milionë CZK u ndanë për të zbutur efektet e krizës humanitare të refugjatëve që u strehuan në Moldavi për shkak të luftës. Fondet u përdorën për të siguruar vakte të rregullta të ngrohta, shpërndarjen e produkteve të higjienës personale, dhe mjete shkollore për fëmijët refugjatë;

Ndihma të tjera u dhanë përmes  organizatave ndërkombëtare – 113.1 milionë CZK u ndanë për mbështetje direkte financiare dhe materiale, për financimin e kuzhinave komunitare dhe transportin e ndihmave humanitare në vendet ku ishte, dhe është, më e nevojshme.

Jo vetëm Ministria e Punëve të Jashtme, por e gjithë qeveria çeke është e vendosur të vazhdojë të mbështesë me këmbëngulje Ukrainën në përpjekjet e saj për të rivendosur paqen, integritetin territorial dhe stabilitetin në rajon. "Ne do të mbështesim Ukrainën për aq kohë sa është e nevojshme. Aleatët në NATO dhe BE janë të bashkuar rreth këtij qendrimi. Ne e bëjmë këtë jo vetëm për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, por edhe në interes të ruajtjes së rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla," shtoi ministri.

Së fundmi, Ministria e Punëve të Jashtme, në bashkëpunim me ministritë e tjera, po përgatitet për rindërtimin e Ukrainës pas luftës, përmes Programit të Rindërtimit për Ukrainën, të cilin qeveria e miratoi vitin e kaluar. Në këtë program do të përfshihen kompanitë çeke, organizatat jofitimprurëse dhe sektorët publikë dhe akademikë me qëllimin final stabilizimin dhe rimëkëmbjen e Ukrainës. Deri në vitin 2025, çdo vit për këtë program do të ndahen 500 milionë CZK, të cilat do të financohen nga programet e financuara nga BE-ja dhe donatorë të tjerë të mëdhenj.